Seksi dhe Ushtrimet Fizike

Seksi dhe Ushtrimet Fizike 

Mendoni, për një çast, ngjashmëritë midis ushtrimeve fizike dhe seksit. Në të dy rastet djersijmë, lodhemi, mezi marrim frymë dhe në përfundim të tyre, shlodhemi të kënaqur. Duhet pranuar se në njëfarë mënyre mund të shihen si dy pole të kundërta – ekzemplarë të agonisë dhe ekstazës si rrjedhojë e përvojës fizike. Por, siç mësojmë, këto dy aktivitete janë më të përafërta nga sa mendohet.

Në disa nga studimet e para laboratorike mbi ushtrimet fizike dhe reagimin seksual të femrës, një studiuese ka zbuluar se ushtrimet fizike energjike duket sikur e ‘ndihmojnë’ trupin e një femre drejt eksitimit seksual. Në këto studime, Cindy Meston, PH.D., profesoreshë e psikologjisë klinike në Universitetin e Teksasit në Austin, tregon se gratë e të njëjtit grup, në dy raste të ndryshme, panë dy filma – njëri me udhëtime dhe tjetri erotik.

Në rastin e dytë, gratë sapo kishin mbaruar 20 minuta ushtrime aerobike intensive (biçikletë). Meston vlerësoi në mënyrë subjektive (duke i pyetur gratë për nivelin e eksitimit të tyre), si edhe në mënyrë objektive (duke matur qarkullimin e gjakut drejt organeve gjenitale) dhe zbuloi se me të mbaruar ushtrimet, nivelet e eksitimit seksual ishin më të larta. Kjo nuk do të thotë që ushtrimet tuaja aerobike nxisin orgazmën. “Ushtrimet fizike në vetvete nuk i eksitonin seksualisht gratë në studim dhe nuk ishin shkak parësor i shtimit të qarkullimit të gjakut në organet gjenitale, por, ushtrimet fizike e përgatitën trupin që të reagonte ndaj një ngacmimi seksual.

Kështu, kur këto gra u vunë në një situatë seksuale, në këtë rast përballë një filmi erotik, trupat e tyre reaguan më shpejt dhe më vrullshëm sesa në rastin kur nuk ishin ushtruar fare fizikisht.” Studimi i Meston është i pari që vëzhgon nga afër reagimin seksual të grave nën efektin e ushtrimeve fizike dhe rezultatet e saja janë befasuese, sepse bien ndesh me supozimet e vjetra rreth funksionimit seksual – supozime që bazoheshin tek ajo që ndodhte tek meshkujt. “Studimet tek meshkujt tregojnë se ankthi është shkaku kryesor i disfunksioneve erektile,” thotë Meston. “Ndaj edhe prej kohësh mendohej se duke aktivizuar sistemin nervor nëpërmjet drogave apo gjërave si ankthi, funksionimi seksual do të dëmtohej. Për këtë arsye, kurat e vështirësive seksuale gjithmonë kanë përfshirë edhe përpjekjen për ta qetësuar psikologjikisht pacientin.” Puna e doktor Meson tregon se është pikërisht aktivizimi i sistemit nervor që nxit reagimin e fortë seksual.

Studime të tjera që bazohen tek mënyra e jetesës kanë filluar të shfaqin edhe tek meshkujt të njëjtën marrëdhënie midis ushtrimeve fizike dhe seksit. Në një studim nga Arkivat e Sjelljes Seksuale, u zbulua se meshkujt dikur joaktivë që filluan të ushtroheshin fizikisht për një orë nga tre deri në pesë herë në javë, shfaqën përmirësim në jetën e tyre seksuale: më shumë seks dhe gjithnjë më shpërblyes.

E gjitha kjo është e kuptueshme – për arsye që shkojnë përtej fiziologjisë, komenton Patricia Esperon, terapeut në qendrën e Dietës dhe Fitnesit në universitetin Duke, ku udhëheq diskutimet në grup për seksin. “Ka plot studime që tregojnë se ushtrimet fizike rrisin vetëbesimin.” thotë Esperon. “Kur njerëzit ushtrohen fizikisht, ata veprojnë dhe ndihmojnë vetveten. Të ndihesh mirë për veten është një pjesë e rëndësishme e imazhit seksual.” Esperon shprehet se turpi i njerëzve për trupin e tyre – qofshin mbipeshë apo jo – është një fenomen i përhapur, që i shtyn ata të distancohen nga vetja e tyre fizike. “Kur ata vendosin t’i përkushtohen ushtrimeve fizike,” thotë ajo, “Ata afrohen sërish me imazhin e trupit e tyre – i cili ka nevoja dhe dëshira, i cili ndjen kënaqësi dhe dhimbje, i cili është i vërtet. Këta njerëz ndihen përsëri të aftë seksualisht.” Megjithatë, në disa studime është parë se ushtrimet fizike sjellin edhe disa pasoja negative. Ata që ushtrohen fizikisht rregullisht janë më gjykues për trupat e tyre dhe veten e tyre e vlerësojnë më së shumti duke u bazuar tek pamja e tyre e jashtme. Nuk dihet cilat ndjenja erdhën të parat: Ndoshta filluan të ushtroheshin rregullisht sepse kështu gjykonin që në fillim.

Nuk është për t’u habitur që ushtrimet fizike zgjojnë ndjesitë seksuale. Muskujt janë parë kurdoherë si diçka seksi; na kujtojnë se ne jemi, në thelb, kafshë – që japim maksimumin kur jemi të elegantë dhe të fortë. Mikelanxhelo e dinte këtë për Davidin, por deri më sot s’e kishim kuptuar mirë si funksiononte kjo gjë tek femrat. Madona, Demi, madje edhe princesha Diana, ndryshuan gjithçka me muskujt e tyre të shpatullave, kofshëve dhe barkut.

Në fakt, studimi i Meston sugjeron se gratë reagojnë seksualisht nëpërmjet asaj çka është parë tradicionalisht si një sjellje mashkullore. “Për vite me radhë,” thotë Meston, “gratë që kishin probleme me dëshirën seksuale, eksitimin ose orgazmën, këshilloheshin që të çlodheshin në një vaskë me ujë të ngrohtë. Nga pikëpamja fiziologjike, studimi im sugjeron të kundërtën: Gratë duhet të bëjnë diçka eksituese, siç janë ushtrimet fizike.

Kjo mund të shpjegojë pse shumë çifte pohojnë se seksin më të mirë e bëjnë pas një zënke: Sepse janë fizikisht të karikuar.” Sa zgjat eksitimi? Studimi i psikologes Cindy Meston ka matur efektet e ushtrimeve fizike mbi reagimin seksual në intervale të ndryshme pas aktivitetit fizik. Efekti minimal është pesë minuta pas ushtrimeve fizike (me siguri për shkak se trupi është ende i zënë duke furnizuar muskujt me gjak) dhe efekt maksimal 15 dhe 30 minuta pas ushtrimeve fizike. Ajo ende nuk ka vëzhguar se çfarë ndodh disa minuta më vonë, por spekulon se efektet mund të vazhdojnë edhe për më gjatë – ndoshta edhe në mënyrë për të përhershme. “Për aq kohë sa nuk mungon një aktivizim kronik i sistemit nervor, reagimi seksual ka për të qenë më i lehtë,” thotë Meston.

“Ushtrimet fizike ndihmojnë qarkullimin e gjakut nëpër trup.” Fiziologjia e seksit dhe ushtrimeve fizike puqen tek pika më themelore e funksioneve të jetës: Aktiviteti fizik përmirëson qarkullimin e gjakut, i cili ndihmon reagimet e ndërlikuara seksuale. Por në një kuptim më të gjerë, ushtrimet fizike ju bëjnë një kafshë më të përsosur, një makinë më të aftë: elastik, të fortë, të fryrë. Pastaj me vete mendoni: Ndihem mirë me trupin tim.

“Vetëbesimi,” thotë Esperon, “luan një rol të jashtëzakonshëm tek ndjenjat seksuale të njerëzve.” Si thoni sikur të ripërtërini anëtarësimin në palestër?

  Të pëlqen glauko.al? Dëshiron të lajmërohesh sapo të dalë një artikull i ri? Na ndiq në Facebook ose në Twitter në faqet tona zyrtare!

Më të Lexuar :

 
 

Lidhu me Ne

Mund të na gjeni në Facebook, Twitter dhe Google+ për t'u përditësuar me lajmet më të fundit :

FacebookTwitter Google+